Duhet të rritet numri i inspektorëve të punës

Lëndimet dhe aksidentet fatale të  qytetarëve në vendin e punës në Kosovë kanë shënuar rritje.

Kështu ka deklaruar për KALLXO.com, Sylejman Klinaku, anëtar i Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, organ që vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në koordinim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë.

Klinaku thotë se problematikë për këtë dukuri mbetet edhe numri i vogël i inspektorëve të angazhuar nga ana e Inspektoratit të Punës.

“Fatkeqësisht kjo është një dukuri mjaft shqetësuese, sepse krahasuar me vitin e kaluar, numri i aksidenteve me fatalitet është rritur mjaft shumë. Ne si Këshill Nacional për Siguri dhe shëndet në punë po vazhdojmë punën tonë aq sa edhe kemi kompetencë dhe kapacitet. Tani kohën e fundit jemi duke i bërë disa vizita në kompani publike dhe private për identifikimin e problemeve të sigurisë dhe të shëndetit në punë”, tha ai.

Klinaku ka shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të mbështesë Inspektoratin e Punës, duke rritur numrin e inspektorëve në tërë vendin.

“Është urgjente që Qeveria, Ministria  e Punës dhe Mirëqenies sociale të mbështesë fuqishëm Inspektoratin e Punës, sepse me një numër kaq të vogël të inspektorëve nuk mund të mbulohet gjithë territorin e Kosovës”, tha ai.

Klinaku shtoi se ka mungesë të respektimit të dispozitave ligjore në të gjitha kompanitë por, sipas tij, edhe kompanitë private duhet të pajisen urgjentisht me rregullore të sigurisë dhe shëndetit në punë, duke i shtyrë të punësuarit t’i përdorin pajisjet për siguri.

Zyrtari i KNSSHP-së theksoi se e përkrahë protestën kundër vdekjes së punëtorëve në vendin e punës.

“Duhet të bëhet sensibilizim i mjaftueshëm i të gjithë popullatës për  sigurinë dhe shëndetin në punë. Unë jam pro kësaj proteste sepse përmes saj duhet të vetëdijesohen jo vetëm zyrtarët dhe qeveria por edhe punëtorët”, përfundoi Klinaku.

Sipas Inspektoratit të Punës, deri në fund të muajit korrik të këtij viti janë regjistruar 73 raste të lajmëruara të aksidenteve në punë.

Të shtunën e kaluar një punëtor ka vdekur nga një aksident në vendin e tij të punës në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Ndërkaq, pas këtyre rasteve, më 10 tetor para Qeverisë do të mbahet protestë me moton “Ndërtesat janë tuajat, jeta është e jona”.

Linku i lajmit KALLXO.COM

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *